Ligj Nr. 4/2020 Për Shkëmbimin Automatik Të Informacionit Të Llogarive Financiare Law No. 4/2020

Ligj Nr. 4/2020 Për Shkëmbimin Automatik Të Informacionit Të Llogarive Financiare Law No. 4/2020

Pas ratifikimit të Konventës për Ndihmën e Ndërsjellë Administrative në Çështje Tatimore dhe miratimin e Marrëveshjes Shumëpalëshe të Autoritetit Kompetent për Shkëmbimin Automatik të Informacionit të Llogarive Financiare, Parlamenti Shqiptar ka miratuar ligjin nr. 4/2020 “Për shkëmbimin automatik të informacionit të llogarive financiare” i cili parashikon për Institucionet Financiare një detyrim Raportimi vjetor pranë autoriteteve tatimore lidhur me Llogaritë e Raportueshme (individë ose njësi ekonomike, banorë në një juridiksion tjetër).

Parashikimet kryesore lidhur me Ligjin Nr. 4/2020:

Qëllimi:  Shkëmbimi automatik i informacionit të llogarive financiare, me qëllim luftimin e evazionit fiskal shmangien e mashtrimit tatimor dhe grumbullimin të parave jashtë vendit. Institucionet financiare të një juridiksioni raportues, mbledhin dhe raportojnë informacion tek autoritetet e tyre tatimore në lidhje me mbajtësit e llogarive te cilët janë rezidentë të shteteve të tjera në mënyrë që të mundësohet parandalimi i evazionit fiskal dhe mashtrimi fiskal.

Kujt i drejtohet: Informacioni që do të shkëmbehet nuk ka të bëjë vetëm me individët, por edhe me kompanitë dhe NFE-të (entitete jo financiare) pasive të cilat kanë pronar përfitues rezident në shtetet e tjera. Ekziston një përjashtim për klientë të veçantë që nuk përcaktohen si “persona raportues”. Këto janë institucione financiare, entitete qeveritare, organizata ndërkombëtare, bankat qendrore, korporata aksionet e së cilës tregtohen rregullisht në një ose më shumë tregje të stabilizuara të letrave me vlerë.

Cilat janë informacione e raportueshme: Informacionet që shkëmbehen përfshijnë balancat e llogarive financiare në fund të vitit që raportohet, fitimet kapitale (përfshirë interesat, dividendët, të drejtat dhe të ardhurat nga shitja e aseteve financiare), të raportuara te qeveritë nga institucionet financiare, duke mbuluar llogaritë e mbajtura nga individët dhe entitetet përfshirë trustet dhe fondacionet.

Konkretisht: Raportimi i llogarive financiare përfshin të dhëna të caktuara për mbajtësin e llogarisë si dhe të dhëna për llogarinë që duhet t’i raportohet organit tatimor si psh:

Për individët:

  • Emri
  • Adresa
  • Juridiksioni (et) i vendbanimit
  • Numri (at) i identifikimit tatimor
  • Data dhe vendi i lindjes (për personat fizikë)
  • Numri (a) i llogarisë për llogaritë e kursimit, thesarit, rrjedhëse dhe të kujdestarisë
  • Gjendjet ose vlerat e llogarisë deri në fund të vitit kalendarik ose mbylljen e llogarisë
  • Shumën totale bruto të të ardhurave, dividentët ose të ardhurat e tjera të krijuara në lidhje me aktivet e mbajtura në llogari, si dhe të ardhurat totale bruto nga shitja ose riblerja e aktiveve financiare, në secilin rast të paguar ose të kredituar në llogari gjatë vitit kalendarik ose periudha të tjera raportimi.

Në rastin njësive, personat përgjegjës deklarojnë:

  • Emri
  • Adresa
  • Juridiksioni (et) i vendbanimit
  • Numri (et) i identikimit tatimor
  • Data dhe Vendi i lindjes

Mbajtësve të llogarive pranë institucioneve financiare në vend u kërkohet të dorëzojnë një Vetë-Deklarim në mënyrë që të përcaktojnë qartë rezidencën(at) e tyre tatimore dhe numrin (at) e tyre të identifikimit tatimor.

Sanksione:  neni 12 i ligjit, pikat:

c) mosdhënia e informacionit të kërkuar nga çdo mbajtës i llogarive të raportueshme ose person tjetër përgjegjës, në kundërshtim me kërkesat e këtij ligji dhe akteve nënligjore në zbatim të tij, përveç nëse ky informacion ka të bëjë me një person të tretë dhe provohet se mosveprimi nuk ishte i qëllimshëm, dënohet me 1 000 000 (një milion) lekë gjobë;

ç) kryerja e deklarimit të rremë nga çdo mbajtës i llogarive të raportueshme ose person tjetër përgjegjës, në kundërshtim me kërkesat e këtij ligji dhe akteve nënligjore në zbatim të tij, dënohet me 1 500 000 (një milion e pesëqind mijë) lekë gjobë.

Si bëhet shkëmbimi automatik i të dhënave? Institucionet financiare mbledhin informacion mbi klientët rezidentë për qëllime tatimore jashtë vendit dhe ia përcjellin një herë në vit organit tatimor të shtetit të tyre. Ky i fundit transmeton automatikisht të dhënat e marra tek autoriteti tatimor i shtetit partner përkatës.

Çfarë ndodh me të dhënat që shkëmbehen? Të dhënat e mbajtësve të llogarive mund të përdoren vetëm për qëllime tatimore, dhe në çdo rast duhet të garantohet mbrojtja e të dhënave.

Në çfarë mase ndikon shkëmbimi automatik i të dhënave? Të gjithë personat që janë rezidentë fiskal në një shtet në të cilin është në fuqi shkëmbimi automatik i të dhënave dhe që kanë llogari bankare në Shqipëri, përfshihen në fushën e aplikimit të ligjit.

Për më shumë informacion në lidhje me vendet që janë pjesë e Skëmbimit Automatik të Informacioneve, vizitoni link.

Share this post