Procedurat, dokumentacioni dhe masa e përfitimit të ndihmës financiare për punojësit si pasojë e Covid-19
Vendimi i Këshillit të Ministrave nr. 305, datë 16.04.2020, publikuar në Fletoren Zyrtare nr. 67, përcakton procedurat, dokumentacionin dhe masën e përfitimit të ndihmës financiare për të punësuarit aktualë dhe të larguarit nga puna si pasojë e Covid-19, e njohur si “Paketa Financiare nr. 2”.
Parashikimet e Paketa Financiare janë si më poshtë:
Përfituesit
Ndihme financiare prej 40 000 (dyzet mijë) lekësh për të punësuarit në subjektet me të ardhura vjetore mbi 14 000 000 (katërmbëdhjetë milionë) lekë, që kanë mbyllur aktivitetetin sipas urdhrave të ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, të cilët kanë qenë në punë në datën e hyrjes në fuqi të këtyre urdhrave.
Ndihme financiare prej 40 000 (dyzet mijë) lekësh për të ish-punësuarit në subjektet që janë lejuar të kryejnë aktivitetet sipas urdhrave të ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, të cilët janë larguar nga puna nga data e hyrjes në fuqi të këtyre urdhrave deri në datën 10 prill 2020. Dita e dorëzimit të E-sig 027 nuk duhet të jetë më e vonë se data 10 prill 2020.
Ndihme financiare prej 40 000 (dyzet mijë) lekësh për të punësuarit në subjektet me të ardhura vjetore deri në 14 000 000 (katërmbëdhjetë milionë) lekë, që janë lejuar të kryejnë aktivitetet sipas Urdhrave të Ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, të cilët kanë qenë në punë deri në datën e hyrjes në fuqi të urdhrave të ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.
Ndihmë financiare prej 40 000 (dyzet mijë) lekësh për punonjësit e subjekteve, persona fizikë ose juridikë, që ushtrojnë aktivitetin si struktura akomoduese, të cilët figurojnë në listëpagesa deri në datën e Urdhrave të ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.
Kush nuk përfiton nga kjo Paketë
Punonjësit:
1. të cilët përfitojnë sipas vendimit nr.254, datë 27.3.2020 njohur gjithashtu si Paketa Financiar nr.1;
2. të punësuar në subjektet me objekt veprimtarie tregtim të produkteve ushqimore, fruta –perime, farmaceutike;
3. të punësuar në subjektet e regjistruara që ushtrojnë aktivitet në profesione të tilla si: avokat, noter, mjek i specializuar, farmacist, infermier, veteriner, arkitekt, inxhinier, mjek-laborant, projektues, ekonomist, agronom, ekspert kontabël i regjistruar, kontabilist i miratuar dhe vlerësues i pasurisë, që lejohen të kryejnë aktivitetin sipas urdhrave të ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale;
4. individët e punësuar, të cilët kanë realizuar për vitin 2019 të ardhura bruto nga paga mbi 2 000 000 (dy milionë) lekë;
5. të cilët janë të punësuar në më shumë se një subjekt tregtar.
Aplikimi
Subjektet që përmbushin kushtet e mësipërme paraqesin pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve nëpërmjet portalit e-filing formularin “Kërkesë për përfitim të ndihmës financiare 2”, me të dhënat e përfituesve:
a. Të dhënat e subjektit tatimpagues;
b. Të dhënat identifikuese të përfituesve;
c. Bankën dhe numrin e llogarisë bankare të përfituesve.
Verifikimi nga Drejtoria e Tatimeve
Brenda 10 ditëve pune, këto të dhëna verifikohen nga Drejtoritë Rajonale Tatimore përkatëse nëpërmjet analizës së riskut dhe të dhënave disponibël për secilin tatimpagues në sistemin e-tax.
Ndihma financiare prej 40,000 lekë mbulon periudhën prill-maj dhe paguhet vetëm një here si një shumë e vetme.
Sankione
Akti Normativ Nr. 20, datë 20.5.2020 Për Disa Ndryshime Dhe Shtesa Në Aktin Normativ Nr.3, Datë 15.3.2020, Të Këshillit Të Ministrave, “Për Marrjen E Masave Të Veçanta Administrative Gjatë Kohëzgjatjes Së Periudhës Së Infeksionit Të Shkaktuar Nga Covid-19”, Të Ndryshuar parashikon se moskryerja e aplikimit nga ana e subjektit të të punësuarit apo ish-të punësuarit që plotëson kushtet për të përfituar ndihmën financiare, gjatë periudhës së fatkeqësisë natyrore të shpallur si pasojë e COVID-19, dënohet me gjobë në masën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë. Subjektet, të cilat i kanë trajtuar me pagë të plotë të punësuarit apo ish-të punësuarit nuk gjobiten për mosaplikim për përfitimin e ndihmës financiare.