Njoftim për biznesin e vogël: “Fletë Inventari” për gjendjen e mallrave të blera me TVSH do të përfshihet në skemën e TVSH-së
Sipas njoftimit të publikuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, tatimpaguesit e biznesit të vogël me xhiro mbi 2 000 000 lek deri në 5 000 000 lek, duke nisur nga data 1 Prill 2018, do të përfshihen në skemën e TVSH-së, dhe duhet që krahas masave organizative që duhet të ndërmarrin, të raportojnë edhe inventarin e gjendjes stok të mallrave deri në datën 31 Mars 2018, të blerë me faturë me TVSH jo më parë se 12 muaj.
Për këtë arsye, duhet të mbahet parasysh sa më poshtë:
- të përpilohet lista e mallrave stok të specifikuar në sasi dhe në vlerë, ku të evidentohet data e regjistrimit të stoqeve, sipas formularit bashkëngjitur këtij njoftimi;
- çdo mall i përfshirë në inventar, duhet të jetë i justifikuar me faturë tatimore të blerjes me TVSH, i blerë jo më parë se 12 muaj nga data e deklarimit të inventarit, dhe të jenë të regjistruara në librat e tatimpaguesit. Periudha e faturave të deklaruara në inventar është data 01 Prill 2017 deri në 31 Mars 2018. Këto fatura i bashkëngjiten inventarit;
- inventari, duhet të dorëzohet në drejtorinë rajonale, në momentin e regjistrimit në regjimin normal të TVSH-së, brenda datës 30 Prill 2018. Një kopje të këtij inventari tatimpaguesi e ngarkon edhe në e-filing.
Gjithashtu këta tatimpagues, duhet të pajisjen me blloqe tatimore me TVSH, të cilat duhet të tërhiqen pranë Drejtorive Rajonale Tatimore ku janë regjistruar.
Për më shumë informacione vizitoni faqen zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve.