LIGJI Nr. 112/2020 “PËR REGJISTRIN E PRONARËVE PËRFITUES

LIGJI Nr. 112/2020 “PËR REGJISTRIN E PRONARËVE PËRFITUES

Objekti i ligjit është:Rregullimi i përkufizimit te pronarit përfitues, subjektet e detyruara, të cilat duhet të regjistrojnë pronarët përfitues, krijimin, funksionimin dhe administrimin e Regjistrit të Pronarëve Përfitues, procedurën dhe mënyrën e regjistrimit e të mbajtjes së të dhënave të regjistruara të pronarëve përfitues, si dhe masat ndëshkuese në rast të mosregjistrimit të pronarëve përfitues.”LAW ON THE REGISTER OF BENEFICIARY OWNERS

Ky ligj është i ndarë ne 6 (gjashtë) kre:

Kreu i I përcakton në mënyrë të përgjithshme Objektin, Fushën e zbatimit dhe Përkufizimet e termave të ndryshëm që përdoren në ligj.

Ligji zbatohet për subjektet raportuese, personat juridikë të regjistruar në Republikën e Shqipërisë si: Shoqëritë me përgjegjësi të kufizuar, shoqëritë aksionare, shoqëritë kolektive, shoqëritë komandite, zyrat e përfaqësimit dhe degët e shoqërive të huaja, shoqëritë e kursim-kreditit dhe unionet e tyre, shoqëritë e bashkëpunimit të ndërsjellë, shoqëritë e bashkëpunimit bujqësor, çdo subjekt tjetër juridik, i cili me ligj detyrohet të regjistrohet pranë QKB-së, organizatat jofitimprurëse.

Kuptimi i termave më të rëndësishme te ligjit:

“Pronar përfitues”, është individi i cili ka në pronësi ose kontrollon i fundit subjektin dhe/ose individi në emër të të cilit po kryhet një transaksion ose veprimtari dhe përfshin të paktën:

-Individi i cili ka në pronësi ose kontrollon i fundit një person juridik, përmes pronësisë direkte ose indirekte të një përqindje të mjaftueshme të aksioneve ose të drejtave të votimit ose të pjesëmarrjes në kapitalin e atij entiteti, përfshirë përmes mbajtjes së aksioneve, ose përmes kontrollit nëpërmjet mjeteve të tjera, ose përfiton nga transaksionet e kryera nga personi juridik në emër të tij

-Themeluesi ose përfaqësuesi ligjor ose individi që ushtron kontrollin e fundit efektiv në administrimin dhe kontrollin e organizatave jofitimprurëse, ku përfshihen fondacionet, shoqatat, qendrat, si dhe degët e organizatave jofitimprurëse

“Subjekt raportues” është personi juridik i regjistruar në Republikën e Shqipërisë, që ka detyrimin ligjor të regjistrojë pronarët përfitues në Regjistrin e Pronarëve Përfitues.

“Subjekt i detyruar” janë subjektet që i nënshtrohen ligjit për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimin e terrorizmit

“Pronësi direkte” është pronësia e mbajtur nga një individ prej 25% ose më tepër të aksioneve/kuotave të kapitalit ose të interesave të pronësisë në një subjekt raportues.

“Pronësi indirekte” është pronësia e mbajtur ose kontroll i ushtruar nga i njëjti individ në një ose më shumë persona juridikë, të cilët veçmas ose së bashku zotërojnë 25% ose më tepër të aksioneve/kuotave të kapitalit ose të interesave të pronësisë në një subjekt raportues.

“Regjistri i Pronarëve Përfitues” është një bazë të dhënash elektronike shtetërore, në të cilin regjistrohen të dhënat e pronarëve përfitues të subjekteve që kanë detyrimin e raportimit të tyre, që mbledh në kohë reale të dhënat e regjistruara në regjistrat respektivë shtetërorë të administruara nga institucionet shtetërore përkatëse, si dhe shërben si arkiv elektronik zyrtar dhe siguron transparencën në fushën e pronarëve përfitues.

Kreu II flet për Administrimin e regjistrit të pronarëve përfitues, detyrimin për marrjen dhe regjistrimin e të dhënave për pronarët përfitues dhe mënyrën e regjistrimit të të dhënave në regjistër.

Regjistri i Pronarëve Përfitues administrohet nga Qendra Kombëtare e Biznesit.

Detyrimet e subjekteve raportuese dhe pronarëve përfitues janë:

  1. Subjektet raportuese kanë detyrimin të ruajnë dhe të mbajnë të dhëna dhe dokumente shoqëruese të duhura, të sakta e të përditësuara, në bazë të të cilave përcaktohen pronarët përfitues të subjektit dhe lloji i kontrollit të pronarëve të tyre përfitues.
  2. Pronarët përfitues të subjekteve raportuese kanë detyrimin t’u japin subjekteve raportuese të gjithë informacionin e nevojshëm, me qëllim që subjektet raportuese të përmbushin detyrimin ligjor të përcaktuar në pikën 1 të këtij neni.
  3. Regjistrimi nga subjektet raportuese i të dhënave të pronarëve përfitues në Regjistrin e Pronarëve Përfitues bëhet:
  4. a) brenda 30 ditëve kalendarike nga data e regjistrimit të subjekteve raportuese, në rastin e regjistrimit fillestar të pronarëve përfitues;
  5. b) brenda 30 ditëve nga data e ndodhjes së ndryshimit faktik, në rastin e regjistrimit të ndryshimeve të të dhënave të pronarëve përfitues të subjekteve raportuese.

Nëse një subjekt i detyruar konstaton se të dhënat e regjistruara në Regjistrin e Pronarëve Përfitues nuk përputhen me të dhënat e zotëruara nga ky subjekt i detyruar për pronarët përfitues atëherë:

  1. subjekti i detyruar njofton subjektin raportues dhe Qendrën Kombëtare të Biznesit;
  2. me marrjen e njoftimit, Qendra Kombëtare e Biznesit brenda 2 ditëve pune publikon njoftimin në regjistër, dhe njofton në mënyrë shkresore subjektin raportues për konstatimin e njoftuar nga subjekti i detyruar;
  3. subjekti raportues brenda 20 ditëve kalendarike nga data e njoftimit të Qendrës Kombëtare të Biznesit duhet:
  4. të përditësojë në regjistër të dhënat për pronarët e tyre përfitues, sipas këtij ligji, nëse konstatimi i subjektit të detyruar është i saktë, ose;
  5. të konfirmojë në regjistër të dhënat për pronarët e tyre përfitues, të regjistruara më parë, nëse konstatimi i subjektit të detyruar nuk është i saktë;

Penaliteti qe parashikohet nga ligji në rast se subjekti raportues nuk përditëson ose nuk konfirmon të dhënat për pronarët e tyre përfitues brenda 20 ditëve kalendarike nga data e njoftimit të Qendrës Kombëtare të Biznesit është: QKB-ja dhe autoriteti përgjegjës për mbajtjen e Regjistrit të Organizatave Jofitimprurëse bëjnë ndërprerjen e shërbimeve të tyre për subjektet raportuese deri në:

  1. përditësimin e të dhënave për pronarët e tyre përfitues në regjistër dhe pagimin e gjobës në rast se ky mospërditësim përbën edhe kundërvajtje administrative sipas; ose
  2. konfirmimin në regjistër të të dhënave për pronarët e tyre përfitues, të regjistruara më parë në regjistër.

Regjistrimi fillestar i të dhënave në Regjistrin e Pronarëve Përfitues bëhet nga personi i autorizuar për të përfaqësuar subjektin raportues.

Përditësimi apo ndryshimi i të dhënave të regjistruara në regjistër bëhet nga:

  1. a) personi i autorizuar për të përfaqësuar subjektin raportues;
  2. b) Qendra Kombëtare e Biznesit, bazuar në të dhënat e marra nga autoritetet shtetërore kompetente, në rastet kur të dhënat e regjistruara në regjistër nuk përputhen me të dhënat në posedim të autoriteteve kompetente shtetërore.

Kreu III flet per aksesin në regjistrin e pronarëve përfitues, si dhe të drejtat dhe detyrimet lidhur me të dhënat e regjistruara.

Në regjistrin e pronarëve përfitues gjenden të dhënat e pronarëve të cilat janë të aksesueshme dhe publike, të dhënat të cilat nuk janë të aksesueshme  do të mund të aksesohen nga:

  1. personat e autorizuar për të përfaqësuar subjektin raportues vetëm në të dhënat e regjistruara në regjistër për subjektin që ato përfaqësojnë;
  2. autoritetet kompetente shtetërore.

Të dhënat e regjistruara për pronarët përfitues ruhen përherë në Regjistrin e Pronarëve Përfitues, me përjashtim të rastit të çregjistrimit të subjektit raportues nga regjistrat përkatës, të dhënat e regjistruara për pronarët përfitues të tij do të ruhen në Regjistrin e Pronarëve Përfitues edhe për 10 vjet nga data e çregjistrimit të subjektit raportues. Personi, i cili është regjistruar si pronar përfitues i një subjekti raportues, mund të ngrejë një padi kundër subjektit raportues në gjykatën kompetente, me qëllim vërtetimin se nuk është pronari përfitues i këtij subjekti. Në përfundim të procesit gjyqësor, gjykata ose pala e interesuar depoziton në QKB vendimin, i cili ka marrë formë të prerë, dhe QKB-ja brenda 2 ditëve pune korrigjon kryesisht të dhënën e pronarit përfitues.

Kreu IV flet per ankimin administrativ dhe organi kompetent për shqyrtimin e ankimit administrativ.

  1. Çdo palë e interesuar ka të drejtë të ankohet në rrugë administrative ndaj veprimeve apo mosveprimeve të QKB-së për regjistrimet dhe publikimet. Ankimi bëhet brenda 30 ditëve kalendarike nga data e publikimit në Regjistër të vendimit për pranimin apo refuzimin e regjistrimi
  2. Çdo person i interesuar ka të drejtë të ankohet në rrugë administrative kur QKB-ja nuk jep informacionin e kërkuar.Ankimi bëhet brenda një afati prej 30 ditësh kalendarike dhe ky afat fillon pas 10 ditëve pune nga data e depozitimit të kërkesës për dhënien e informacionit.
  3. Çdo person i interesuar ka të drejtë të ankohet në rrugë administrative kur QKB-ja nuk lëshon ekstraktet.Ankimi administrativ paraqitet jo më parë se 7 ditë kalendarike dhe jo më vonë se 45 ditë kalendarike nga data e përfundimit të afatit të caktuar.

Ankimi administrativ i drejtohet titullarit të QKB-së.Titullari i QKB-së shqyrton ankimin, merr vendim dhe ia njofton palës së interesuar brenda 10 ditëve nga data e depozitimit të ankimit.Ndaj vendimit të dhënë pas shqyrtimit të ankimit administrativ apo mosveprimit mund të bëhet ankim drejtpërdrejt në gjykatën kompetente administrative.

Kreu V flet per kundërvajtjet administrative

Përbëjnë kundravajtje administrative:

  1. Mosregjistrimi fillestar i të dhënave për pronarin përfitues të tij brenda afatit të përcaktuar dënohet me gjobë në vlerën 500 000 (pesëqind mijë) lekë;
  2. Mosregjistrimi i çdo ndryshimi në të dhënat e regjistruara dhe në dokumentet shoqëruese, që depozitohen në regjistër, brenda afatit të përcaktuar dënohet me gjobë në vlerën 250 000 (dyqind e pesëdhjetë mijë) lekë;
  3. Mospërmbushja e detyrimit të subjekteve raportuese ekzistuese për regjistrimin e të dhënave të kërkuara nga ky ligj brenda afatit të përcaktuar dënohet me gjobë në vlerën 250 000 (dyqind e pesëdhjetë mijë) lekë.

Për shkeljet e parashikuara me sipër dënohet me gjobë prej 150 000 (njëqind e pesëdhjetë mijë) lekësh edhe përfaqësuesi ligjor i subjektit të regjistruar, person juridik. Gjoba vendoset nga titullari i QKB-së, vendimi i të cilit ankimohet drejtpërdrejt në gjykatën administrative kompetente në përputhje me parashikimet e Kodit të Procedurave Administrative.

 

Share this post


Privacy Overview

This website uses cookies so that we can provide you with the best user experience possible. Cookie information is stored in your browser and performs functions such as recognising you when you return to our website and helping our team to understand which sections of the website you find most interesting and useful.